Në shqip do të thotë hajde, hyr, afrohu ose dhe mirësevjen…”. Këto pasazhe janë shkëputur nga foto-novela që Falma Fshazi e shkroi duke besuar në thënien e Doris Lessing se “Pa dyshim letërsia/arti bën një punë më të mirë me të vërtetën”. E grishur herët nga shkrimi, ajo e kishte parë këtë formë të artit si formën më të lartë të rrëfimit të së vërtetës. Pastaj shkrimi do ta çonte në dimensione që do ta bënin ta jetonte ndryshe eksperiencën e re shqiptare. Fillimisht vegimi i këtij personazhi, i erdhi në avion për t’u ngjizur më pas me orë të tëra shkrimi. Ajo zgjedh ta quajë Eja, dhe jo pa qëllim. Është një ftesë e bukur, bërë për gjithë ata që hezitojnë të udhëtojnë në këtë vend, për shkak të lajmeve jo të mira me të cilat vishet emri i tij shpesh. Por Falma zgjedh një personazh femër, me një emër që ka një kuptim në shqip, për t’i treguar përmes një kolazhi fotosh dhe fjalësh, historinë e një qyteti që mbart jo vetëm trashëgimi kulturore, por dhe historike. “Eja kishte dëgjuar për Shqipërinë nga familja. I ati lindor qe dashuruar me një turiste perëndimore, nga të paktat që mund të vinin në vend në vitet shtatëdhjetë. E ëma nuk do ta shihte më kurrë vendlindjen e vet, deri kur të binte Muri. Ndaj Ejan e rriti me tregimet e një vendi që ekziston pjesërisht. Pjesa e vendlindjes, që e ëma nuk kishte shkelur, ishte tërësia e imazheve të krijuara në largësi. Një përzierje e kujtimeve më të bukura me më të bukurën e kujtimeve të hidhura dhe dëshirave e ambicieve për të bërë një herë e kthyer në vend, atë që rutina, rregullat, traditat dhe konteksti ta bënin të pamundur. E ëma thoshte gjithnjë se ishin distanca dhe udhëtimi që të çlironin nga prangat e padukshme, se është çudia dhe habia rrjedhë e këtij çlirimi që të nis drejt e tek udhëtimi tjetër. Gjithsesi, Eja vendosi të shkonte në Shqipëri, kur arkitekti kishte thënë: “Është një ëndërr e realizuar në një vend i cili nuk e tregon aspak veten në momentin e parë. Duket sikur të shfaqet pas disa ardhjeve, por kuptimi të rrëshqet nga duart me një vetëdije të çuditshme, për të mos u dhënë. Veçse çdo herë, në çdo kthim, ndien fuqinë që të jep dhe ti, krejt papritur, sheh ëndrrën para syve”. Takimi me prozën e Fshazit është një befasi e bukur. Ajo di ta kalojë personazhin nga një gjendje në tjetrën, duke mos humbur gjatë rrëfimit qëllimin.
libra shqiptar
libra te huaj
