Një rrëfim i shtruar, qetësues në sipërfaqe, e megjithatë mbartës i
kontradiktave të modernitetit tonë sa të ngutur, aq edhe të vonuar. Ngjarjet zhvillohen kryesisht në Tiranën e ditëve tona, në atë të epokës së pasanikëve, “ca me prejardhje të njohur, ca me të errët, [që] zbarkonin në Tiranë si në një prehër të shpërvetësuar, një port pa njehsim hyrje-daljesh.” Romani nis me një shpërngulje nga qendra në kodrat ende gjelbëroshe të Liqenit; rrugëtim i shkurtër që zhdërvjell me durim fijet e së kaluarës, lëngatës së gjatë të dashurive të këputura dhe nostalgjinë brejtëse për një botë të përmbysur, nën rrënojat e së cilës pulson nevoja për të kujtuar.
Përmes syve të rrëfimtarit, një personazh sa karizmatik aq edhe enigmatik,njihemi me një histori dashurie të hershme. Rrjedha e saj bëhet jehonë e jetëve të vështira e plot vrull të shqiptarëve, brenda dhe jashtë kufijve kombëtarë. Dy të dashuruarit janë personazhe të plota, të fuqishme, pothuajse heroike. Ata duhen, ndahen, përpiqen e guxojnë, deri në flijim, të rigjehen përsëri.