Letërsia romantike arbëreshe, gjatë një shekulli të historiografisë letrare shqiptare, ose nuk është njohur fare, ose është njohur me shtrembërime dhe shmangie të papërfytyrueshme, ose është vendosur keq në periudhizimin e përgjithshëm të zhvillimit të letrave shqipe, ose është përjashtuar vijimësisht prej shkencës letrare. Kjo është një prej të vërtetave më të thjeshta që duhen pranuar në rastin e botimit nga shtëpia botuese “Naimi” të librit më të ri“Gjurmime filologjike për letërsinë romantike arbëreshe” të Matteo Mandalà-it, albanolog i njohur, profesor në Universitetin e Palermos, Itali.
Në këtë libër gjithçka është e re për lexuesin shqiptar. Të reja janë leximet e trashëgimit letrar në botën arbëreshe, prej veprave të De Radës, Gavril Darës, Zef Skiroit, Frangjisk Santorit, Emanuele Bideras dhe autorëve më të hershëm, si Luka Matrënga, Nikollë Filja e Nikollë Keta. Prapa këtij libri qendrojnë dekada të tëra pune murgu të prof. Mandalà-së, punë për të tjerët, një virtyt gati i harruar; punë në shërbim të lehtësimit të kërkimeve.
Matteo Mandalà është një studiues model që provon se shembja e mureve midis disiplinave dhe nëndisiplinave, shpesh të farkuar për t’i dhënë komoditet vetes në një rreth të rehatshëm, lejon që historia e letërsisë shqipe të rinjihet duke u vlerësuar, duke fituar hershmëri dhe karakter sistemor. Megjithëse autori ka preferuar ta titullojë librin e tij thjesht “Studime filologjike për letërsinë romantike arbëreshe”, kemi të bëjmë me një vepër që kërkon rishqyrtime kritike për gjithë historinë e letërsisë shqipe, duke përfshirë periudhizimin e saj, ndryshimin e kalendarëve, karakterizimin e dukurive dhe zhvillimeve kulturore e letrare, prekjen e status quo-së së deritashme, funksionimin e një sistemi letrar që mbështetet mbi njësinë e gjuhës, historinë e gjinive letrare, historinë gjenetike të veprave, vështrimin krahasues të varianteve të tyre.
libra shqiptar
libra te huaj
