Cili është problemi kryesor praktik i një shkrimtari argjentinas? Ajo e të siguruarit të jetesës pa prostituar letërsinë. Do t’i këshilloja të rinjtë që asnjëherë të mos përpiqen të jetojnë prej saj, dhe aq më pak nga gazetaria, ku punohet dhe shkruhet jo për të shprehur botën tënde, por botën (zakonisht të korruptuar dhe të rreme) e drejtorit të një gazete. Më mirë të punosh si punëtor krahu, apo si mekanik, apo si inxhinier. Letërsia dhe, në përgjithësi, arti janë akte të shenjta që nuk duhen poshtëruar, përndryshe ke poshtëruar veten. Cili është problemi kryesor i një shkrimtari? Nuk e di cili është kryesori. Por një nga më të rëndësishmit është ai i kapërcimit të atij tundimi që kalojnë të gjithë ata që kanë lindur me dhuntinë e lehtësisë së të shkruarit: tundimi që të bashkosh fjalë për të bërë një vepër. Më duket se ka qenë Klodeli [Claudel] ai që ka thënë: s’ishin fjalët ato që bënë Odisenë, ishte Odiseja që i bëri fjalët. Mos ta harrojmë kurrë këtë thënie, sidomos në këto vende të mbushura me shkarrashkrues.