Lënda e etnosit përjeton në kohë dhe hapësirë një dinamikë zhvillimi, duke iu nënshtruar në vijimësi shndërrimit, i përftuar ky edhe në sajë të përballjes me komponente që e rrethojnë ose gjëllijnë brenda tij, duke ndarë së bashku atë hapësirë jetike kompakte të bashkësisë etnike në fjalë, që gëzojmë sot të drejtën ta quajmë “shqiptare”.
Këtë argument, prejardhjen e shqiptarëve nën dritën e dëshmive që ofron gjuha shqipe në kohë dhe hapësirë, synon të ndajë me lexuesin prof. Shaban Demiraj, kur, pas vështrimit tërësor të “çështjes shqiptare” nga perspektiva e gjuhësisë diakronike, vjen në përfundimin e natyrshëm, se: “analiza e fakteve të shumta të gjuhës shqipe, të vështruara në evolucionin e tyre historik, dëshmon se stërgjyshërit e shqiptarëve në lashtësi kanë qenë fqinjët veriorë dhe veri-perëndimorë të grekëve të vjetër dhe të nënshtruarit e hershëm të Perandorisë Romake. Si rrjedhim, mendimi i mbrojtur nga një varg dijetarësh që shqiptarët e sotëm janë pasardhësit e drejtpërdrejtë të ilirëve jugorë gjen një mbështetje të fuqishme në dëshmitë e shumta të gjuhës shqipe, e cila është zhvilluar nëpërmjet evolucionit të një a disa dialekteve, që fliteshin në lashtësi pikërisht në trevat e Ilirisë Jugore”.
Këto fjalë hyrëse nuk arriti t’i formulojë dot vetë autori, prof. Shaban Demiraj, i cili u nda nga jeta një vit më parë, më 30 gusht 2014, pikërisht kur kaloi nëpër duar faqet e fundit të kësaj monografie, me dëshirën e mirë për të përjetuar edhe botimin sipas vullnetit të fundmë të tij.