Të gjithë dinë t’i japin biçikletës, atëherë pse unë jo. Ja, kaq
m’u desh në ëndërr për të tërhequr guximin pas vetes. Mora diku
një biçikletë të panjohur, u ngjita dhe nuk mendova rrëzimin. Në
atë ecje të ngadhnjyer mbi frikën s’ka vend për hezitim. U nisa
rrugës që në eliksirin e mendjes nuk arrij asnjëherë ta dalloj
qartë por kam kuptuar që rrugicat janë çdoherë pak a shumë
të ngjashme, e kur ikjes sime të çmendur nis e i vjen fundi
ato labirinte të çuditshme më çojnë drejt teje. Vështrimet tona
ndeshen e unë jam e dëshiruar për t’i parë sa më gjatë sytë e
mirë, por ato çaste do të mbeten përherë të paktë, të shkurtër.
Ndeshja e vështrimeve është tepër e fuqishme aq sa më deh
shpirtin me mall dhe unë dua të ulërij brenda ëndrrës me zë
nostalgjie. Gërthas fort me zë të brendshëm, të lutem të mos
ikësh, e më pas thërras përsëri me një psherëtimë që nuk më
del, e megjithatë unë e dëgjoj tek të thotë:
“Të lutem mos u largo, rri dhe pak”.
libra shqiptar
libra te huaj
