Konstitucionalizmi është filozofia e mbrojtjes apo e garantimit të të drejtave të individit përballë pushtetit politik që ka maxhoranca në një demokraci. I gjithë ky garantizëm është i sanksionuar me anë të normës kushtetuese, prandaj doktrina që përmbledh konstitucionalizmin tregon rrugën sesi mund të arrihet që norma kushtetuese të mbetet e pacenuar nga forca që mund të ushtrojë abuzivisht kundër saj një maxhorancë parlamentare apo edhe vetë qeveria. E gjithë kjo lloj filozofie mund të përcaktohet si një e drejtë kushtetuese për të kufizuar qeverinë. Në fakt, ne nuk do të kishim nevojë që demokracia si sistem politik të shoqërohej edhe me konstitucionalizëm, por në këtë pikë na sjell nevoja që kemi për të kufizuar qeverinë.