J.G.Ballard, i konsideruar si një ndër autorët më të rëndësishëm të letërsisë bashkëkohore, i kthyer tashmë në një kult. Një roman i bërë bestseller në mbarë botën, bazuar në autobiografinë e vetë autorit, që frymëzoi një ndër filmat më të famshëm të regjisorit Steven Spielberg. Një libër nga ata që pasi e lexon, ke dëshirë ta lexojnë sa më shumë njerëz të tjerë, vepër e një shkrimtari të madh, e sjellë mjeshtërisht në shqip nga shkrimtari e përkthyesi Bashkim Shehu. Historia mbresëlënëse e një djali anglez njëmbëdhjetë vjeçar, Xhimit, që jetonte qetësisht bashkë me prindërit biznesmenë në Shangai, deri ditën kur, të nesërmen e sulmit japonez mbi Pearl Harbour, ushtria japoneze hyn në Shangai, dhe në pështjellimin e madh të krijuar, ai humbet prindërit e mbetet krejt i vetëm në qytetin e kredhur në kaos. Dhe kështu, nis historia e përpjekjeve të tij për mbijetesë, që nga rrugët e vilat e braktisura të Shangait të pushtuar, deri në kampin-burg për qytetarët perëndimorë të kapur nga japonezët, ku ai kalon vitet e luftës, deri sa hedhja e bombës amerikane mbi Hiroshima i dha asaj fund.