Kolonel Kadafi jeton i tmerruar orët e tij të fundit. I braktisur nga të gjithë, plot dyshime, e kuptoi tepër vonë shkatërrimin ku qe zhytur vendi dhe tani vetmia e detyron të shohë brenda vetes e të mendojë për jetën e tij.
Megalomania e shtynte të besonte se ishte mishërimi i popullit të vet. Narcizist, i ekzaltuar nga lufta shpëtimtare e dikurshme, “më i përuluri ndër zotërinjtë”, e udhëhiqte popullin e tij duke asgjësuar armiqtë e duke sfiduar të fuqishmit e botës. Po çfarë ka mbetur nga çmenduria e tij tani që vetë populli i tij, pasi e ka përmbysur e sharë, përgatitet ta linçojë?
“Nata e fundit e Kadafit” tregon një njeri të lindur nën shenjën e padrejtësisë, që ëndërron shpëtimin. Në ato orë fatale të rënies, Kadafi u rikthehet çasteve kur kishte besim te populli i tij dhe te vetja, kur donte të zhdukte varfërinë dhe shfrytëzimin e tij. Por madhështia e atij vizioni dhe pushteti qe kthyer në tmerr dhe autoritarizëm.
Me një gjuhë të shkëlqyer, “Nata e fundit e Kadafit” gërmon në shpirtin e errët të revolucionarit të pandreqshëm, të ëndërrimtarit të përgjakshëm, të burgosur nga veprimet dhe ankthet e tij, nga fiksimet e frikërat, i cili tani sheh të përmbyset bota, reale dhe imagjinare, autor dhe aktor kryesor i së cilës është ai vetë.
Duke e treguar në vetën e parë jetën e Kadafit, Yasmina Khadra e intrigon lexuesin duke ndërtuar portretin e një personazhi tepër kompleks, mizor dhe të brishtë njëkohësisht, të një zoti mbi tokë që papritur zbulon se është njeri. Me këtë libër, Yasmina Khadra konfirmohet si një nga shkrimtarët më të guximshëm dhe të thellë të Mesdheut.