Libri është konceptuar si hyrje në studimet për nacionalizmin. Ai përmbledh arritjet më të rëndësishme shkencore të deritanishme në këtë fushë ndërdisiplinore dhe paraqet debatet teorike mbi formimin e kombeve dhe mbi aspekte të ndryshme të ndërveprimit të nacionalizmave me dukuri të tjera politike dhe shoqërore. Pjesa e parë trajton qasjet teorike për formimin e kombeve dhe të nacionalizmit. Kapitujt e pjesës së dytë merrem me karakteristikat e nacionalizmit si ideologji dhe me marrëdhëniet e tij me ideologjitë më të rëndësishme të shek. XIX-XXI: liberalizmin, marksizmin dhe fashizmin. Në pjesën e tretë analizohen marrëdhëniet e nacionalizmit me historinë, kulturën, fenë, gjininë, racën dhe sferën e konsumit. Pjesa e fundit, e titulluar “Përtej kombit?”, merret me pozitën e shtetit kombëtar në kushtet e globalizimit dhe rigjallërimin e nacionalizmit në Evropën e sotme përmes partive radikalo-populiste.
Enis Sulstarova është mësimdhënës në Departamentin e Shkencave Politike të Universitetit të Tiranës. Fushat e tij studimore janë nacionalizmi, sociologjia politike, politikat e identitetit dhe qytetaria bashkëkohore. Ai është autor edhe i këtyre librave: “Ligjërimi nacionalist në Shqipëri dhe studime të tjera” (2003; ribot. 2015); “Arratisje nga Lindja: Orientalizmi shqiptar nga Naimi te Kadareja” (2006; ribot. 2007, 2013, 2019); “Në pasqyrën e Oksidentit: Studime dhe artikuj” (2010); “Jam Evropë! Intelektualët dhe ideja e Evropës në vitet 1918-1939 dhe 1989-2006” (2012); ‘“Islamizëm do të thotë Lindje”: Rrëfimi i kombit, Evropës dhe islamit në ligjërimin publik dhe në tekstet shkollore të historisë’ (2016); “Hegjemonia kombëtare: Studime dhe artikuj” (2017).
libra shqiptar
libra te huaj
