Monografia Lef Nosi filolog: studim historiko-letrar, arkeografik dhe filologjik i dr. Edelajda Cenajt-Çepajt është i pari studim monografik kushtuar trashëgimit dorëshkrimor letrar, publicistik, etnografik, gjuhësor dhe folkloristik të këtij personaliteti të rëndësisë parësore me kontribute shumëplanëshe për kulturën dhe identitetin shqiptar në gjysmën e parë të shekullit XX.
Studiuesja ka bërë kërkime disavjeçare në rezervàtin e koleksioneve të Lef Nosit, një prej fondkrijuesve më të mëdhenj të burimeve arkivistike të Shqipërisë në të gjitha kohërat; si autor, si mbledhës dhe si kodifikues i tyre; si paraprijës i rrjetit arkivor kombëtar shqiptar. Për herë të parë, përmes këtij libri, kërkuesit shkencorë do të kenë në duar një udhërrëfyes të sigurt për një lundrim efektiv në fondet arkivistike të Lef Nosit në të gjithë arkivat institucionalë të vendit: në AQSH, në arkivat vendorë, si dhe në rrjetin e arkivave shkencorë dhe të trashëgimisë, që ruhen pranë institucioneve të dijes kombëtare shqiptare. Përveç përshkrimit arkeografik, paraqitet me qartësi edhe puna thuajse krejt e panjohur e Lef Nosit si ndërmjetës me albanologjinë e Perëndimit, siç ka qenë në traditën e studimeve shqiptare qysh në shekullin XVIII (M. Boçari për F. Pouqueville-in, T. Kavalioti për J. Thunmann-in, K. Kristoforidhi e A. Meksi për G. Hahn-in, D. Voskopojari për W. Martin-Leake-un, Th. Mitko për G. Meyer-in).
I nisur si një projekt për njohjen, spikatjen dhe interpretimin e asaj pjese të trashëgimisë shkrimore e dorëshkrimore të Lef Nosit, që i takojnë letërsisë ose janë pranë saj (poezi e proza të shkurtra, publicistikë, përkthime e letërkëmbim), studimi është zgjeruar dhe thelluar edhe në disa fusha të tjera, si leksikologjia e leksikografia. Studiuesja, përmes krahasimit me mbledhësit bashkëkohës të traditës gojore shqiptare, sidomos me françeskâjt e mdhâj të urdhrit të të vegjëlve, përveçon profilin e dallueshëm të Lef Nosit, që, ndryshe prej të parëve, shfaqi interesa jo vetëm për lloje e nënlloje të poezisë heroike, por dhe për rrëfenjën e shkurtër dhe fabulën e thjeshtë historike, duke e shfaqur të njëjtën sjellje edhe në gjuhë, larg puritanizmit dhe namuzit leksikor të Rilindjes e të kohëve të mëvonshme. Përmes një tjetër krahasimi, lexuesi sheh në pasqyrë të njëri-tjetrit tre botues dhe tri politika botuese: Lef Nosin me Kopshtin letrar, Jeronim de Radën me Fiamurin e Arbërit dhe Faik Konicën me Albanian.
Në këtë monografi për herë të parë bëhet i njohur një fjalor shqip-shqip i panjohur i Lef Nosit, me mbi 5 mijë njësi leksikore dhe me qindra idioma e fjalë të urta, që ruhet në arkivin e Institutit të Gjuhësisë dhe të Letërsisë. Ndonëse në gjendje të dëmtuar, pasuria e këtij fjalori është krahasuar me fjalorët normativë të shqipes (1954, 1984), dhe në këtë proces janë bërë të njohura fjalët dhe kuptimet e munguara prej tij. Autorja ka përfshirë në librin e saj edhe disa sprova botimi të këtij fjalori, duke manifestuar formimin e saj si filologe dhe leksikografe. Ajo ka bërë kërkime përtej dorëshkrimit të këtij fjalori, për të hapur perspektivën e një botimi të plotë të fondit leksikografik të Lef Nosit.