“Në ekranin e telefonit u shfaq emri i tij, por unë nuk iu përgjigja dot menjëherë. Pata
frikë. As nuk di ta shpjegoj ç’lloj frike ishte. Pastaj guxova. Zëri i tij më kumboi në
veshë, tek më thirri fort emrin. U drithërova. Mbeta si e gozhduar nën pushtetin e një
emri trigermësh. Heshta. Ai e përsëdyti: germa e parë… zanore e plotë e zbardhur
kumbuese, germa e dytë, bashkëtingëllore llastuese me gjuhën që ngulej e mishtë
mes qiellzës së tij të lëngët, dhe germa e tretë sërish e njëjta zanore, më e plotë e
bubulluese dhe më e zgjatur se simotra e saj e parë.
– Sa do të doja të të kisha pranë vetes tani, këtu ku jam, – më tha. – Jam në varreza!
“O Zot, më ndihmo!” – thashë me vete në të qindtat e sekondës. A mund të bërtasë
ashtu një i vdekur nga varret? Pastaj u kthjellova. Përderisa po më flet me zërin e tij,
ky nuk është zë prej të vdekuri. Zëri i tij nuk i ngjante haresë në zërin e një burri, që
dhembshurisht i thotë emrin të dashurës në telefon, por ishte përgjërim e lutje,
përzier më një lloj padurimi, për ta thirrur e për ta shkulur njëherësh atë emër nga
vetja. Padurim për të më shkulur mua nga vetja, dhe njëkohësisht për të më pasur
pranë. E, ku? Aty në varre.”
libra shqiptar
libra te huaj
