Po si jetohet kur të ndalojnë me dhunë të dashurosh? Çfarë ngjyre ka qielli,
dielli, yjet dhe lulet? Ç’shije ka ajri, uji, puthja e munguar, përvëlimi i trupit në
dëshirë? Ngjyrat dhe shijen e tërbimit – na e thotë Namik Dokle me romanin
e tij “Ditët e lakuriqëve të natës”.
Subjekti i këtij romani shtillet rreth një fabule mbresëlënëse: sëmundja që po
merr jetën e të rinjve nuk është “tërbim” i ardhur nga shkaqe që mund t’i
shpjegojë shkenca. Ajo vjen nga ndalimi që u bëhet të rinjve të mos kenë asnjë
mundësi të bëjnë dashuri. Në fshat mbizotëron një shtetrrethim i frikshëm
mbi ndjesitë dhe nevojat shpirtërore dhe fiziologjike të të rinjve. Personazhet
kanë veshur, të gjithë, petkat e tyre prej fjalësh të frikura dhe luajnë para syve
tanë dramën e tyre, që është njëkohësisht drama e gjithë shoqërisë shqiptare
në diktaturë. Heshtja e frikshme mes banorëve për të artikuluar dyshimet, e
pengon një profesor shkencëtar të njihet shpejt me të vërtetën. Laboratori i tij
nuk është thjesht shkencor, por kryesisht njerëzor. Në këtë roman, ashtu si edhe
në dy paraardhësit e tij, autori Dokle ka lëmuar mjeshtërisht fjalorin e pasur të
zonës; legjendat dhe mitet, realitetet magjike janë sërish pjesë domethënëse e
rrëfenjës së autorit, i cili tashmë e ka të shtruar si kalldrëm, me gurët e skalitur,
udhën e sigurt drejt lexuesit dhe letërsisë së bukur shqipe.
libra shqiptar
libra te huaj
