John Hodgson-i nga Anglia është një prej njohësve më të mirë të gjuhës e kulturës shqiptare!
Si studiues i ri, i shkolluar në Cambridge, ai erdhi në Kosovë në vitet ‘80 për të punuar si lektor i gjuhës angleze. U njoh me Kosovën, brengat dhe aspiratat e saj! U njoh me odat e Kosovës, që gjëmonin në tingujt e Rizah Bllacës e Salih e Feriz Krasniqit, u njoh me habitoren e shqipes së fshatit, me dasmën e dekën shqiptare, u njoh me byrekun e flinë e Kosovës, me dervishë, hoxhallarë, priftërinj e shkollarë, me demostratat e 81-shit, me prozën popullore të Anton Çettës e shkrimet e Ibrahim Rugovës. John Hodgson-i ishte një Harry Potter autentik, kur u nisë nga Londra drejt Lindjes, për t’u njohur me shqiptarët e Kosovës, popull që ruante në gji një dashuri të madhe për liri.
Këto kujtime, Gjoni i ka shkruar direkt në gjuhën shqipe, me theks anglez, me një sintaksë të rrjedhshme, plot stil e ngrohtësi; ato janë plot me ngjarje, dialogje e rrëfenja për Kosovën e viteve ‘80. Ato na vijnë nga një dashunues i madh i shqipes, nga përkthyesi i pesë veprave të Kadaresë, mes shumë tjerash.
libra shqiptar
libra te huaj
