Botohet në shqip romani “Çdo ditë nga dhjetë minuta” (Per dieci minuti) bestseller-i i radhës i autores italiane Chiara Gamberale. Roman që është shitur në më shumë se 200.000 kopje deri më tani vetëm në Itali dhe në mbi 150.000 kopje në Argjentinë, Kili e vende të tjera të Amerikës Latine ku është botuar. Madje, ai vazhdon të jetë në krye të klasifikimeve të librave më të shitur sipas gazetës Corriere della Sera duke u klasifikuar në listën e 100 librave më të lexuar të të gjitha kohërave sipas botuesit të tij, Feltrinelli. Autorja italiane, e përkthyer tashmë në 14 gjuhë të tjera, vjen për herë të parë në shqip nga gjuha origjinale falë Shtëpisë Botuese Toena dhe përkthimit mjeshtëror të përkthyeses Aurora Kenga. “Çdo ditë nga dhjetë minuta” është historia e një gruaje të re 36-vjeçare e cila besonte se kishte gjithçka kishte ëndërruar në jetën e saj. Por, jo gjithçka që besojmë përputhet me realitetin që jetojmë. Dhe Kiara, personazhi kryesor i romanit, do të duhet të përjetojë, jashtë vullnetit të saj, historinë e ndarjes me shokun e jetës, i cili e braktis për një vajzë më të re. E për më keq, do të humbasë pas kësaj edhe vendin e saj të punës, apartamentin në të cilin kishte jetuar në çift dhe… kuptimin e jetës. Këtu nis në të vërtetë historia e dhjetë minutave “ndryshe” në jetën e saj të përdidtshme. Pë të dalë nga gjendja depresive, për t’i shpëtuar pakuptimësisë së ditëve të saj të zbrazëta dhe netëve të saj plot ankthe, ajo nis të frekuentojë një psikologe, e cila i jep “recetën” e rizbulimit të vetvetes dhe të harmonisë me botën që e rrethon. Por, a do të mjaftojnë “10 minuta ndryshe” për 1 muaj rresht që ajo të risjellë gëzimin dhe ekulibrin në jetën e saj? Ngelet për t’u zbuluar në faqet e këtij romani, që nënkuptohet, është edhe një histori personale.