I rilexuar sot, rreth pesëdhjetë vjet mbasi është shkruar, ky roman godet në një shënjestër shumë të gjerë, të pakufi zuar as në hapësirë as në kohë. Ashtu si uniciteti i së keqes të viteve tridhjetë që tani vihet në diskutim nga ripërtëritja e ligjërimeve dhe urrejtjes që dukeshin të harruara përgjithnjë, ashtu dhe ai që duhet të ishte një denoncim i zjarrtë kundër përbindëshit të diktaturës komuniste, sot mund të rilexohet si një manual psikologjie i diktatorit, dhe funksionimit të makinës totalitare – frikë, paranojë, gënjeshtër, manipulim, dhunë, korrupsion, mëri, autarki dhe mediokritet – në emër të një pushteti që duhet përqendruar në pak, fare pak duar. Nga Maoja te dinastia e Kim-ëve, nga peronistët amerikano-latinë tek ata birmanezë, nga satrapët afrikanë te rais-ët e Lindjes së Mesme, deri te sovranistët dhe populistët evropianë dhe amerikanë, në atë farsë të trishtë që, sipas Marksit, është gjithnjë përsëritje e historisë, himnizim i popullit për ta shndërruar në plebe. Diktatori ideal, si Stalini i Solzhenicinit, proklamon mediokritetin si model, përbuz shkencën dhe shpotit intelektualët me zakonin e tyre për të dyshuar, për të hezituar dhe stërholluar. Për të e vetmja metodë për të kapërcyer një pengesë është ta eliminojë: ballafaqimi, dialogu, bindja, konkurrenca janë të panjohura për të, edhe sepse e di që në këto fusha është thjesht një humbës. I njëjti Stalin i Solzhenicinit e di, e nuhat, se nuk është i vetmi: e vetmja qenie njerëzore ndaj të cilit kishte ushqyer një besim dhe një afri si i barabarti me të barabartin është Adolf Hitleri, dhe i përgjigjet kujt donte ta eliminonte duke thirrur: “Një socializëm pa të ishte fashizëm fund e krye!”.
libra shqiptar
libra te huaj
