….Të tjerët kanë ikur. Janë përshëndoshur siç e kanë zakon në anët e tyre, ballin takuar, dorën e majtë mbështetur mbi supin e Hanës, mbetsh me shnet bre burrë shqiptuar me hije të rëndë. Udhëtimi drejt shtëpisë është i ngrehur si një çark pushke. Hana është ulur në ndenjësen e pasme me Jonidën, edhe pse Lila kishte ngulur këmbë ta vinte përbri Shtjefnit. Ky është i zoti në timon, nget shpejt dhe shkathët, një valltar mbi katër rrota mes pesë korsi makinash që anashkalojnë majtas e djathtas. Por është i tendosur Shtjefni, tani më se qëparë. “Unaza e autostradës është gjithmonë e rënduar,” jep muhabet dhe i zgjat Hanës një cigare. Ajo e mer, por nuk e ndez. Lila herë pas here i kthehet dhe i buzëqesh. Jonida sheh jashtë dritares, një palë kufje futur në veshë e shkëpusin nga bota, ndërsa rrahja e gjurit ku ka mbështetur kënduesin nënvizon banimin e përkohshëm në një tjetër hapësirë. Perëndimi është madhështor, një e kuqe që zhbëhet në portokalli. Hana kupton vetëm se po udhëtojnë drejt veriperëndimit, kryeqytetin po e lenë pas krahëve. Shenjat rrugore rrëshqasin tëhu si dezertorë të një ushtrie me uniforma bardhegjelbër….
libra shqiptar
libra te huaj
