Pjese nga libri : Në qytet flladi pranveror gudulis ëmbël fytyrat e kalimtarëve, duke i ftuar në kërcimin e këndelljes së përhershme të jetës, e cila bëhet edhe më e vrullshme e shumëngjyrëshe pas një dimri të gjatë dhe të acartë. Vende-vende bora e shkrirë është shndërruar e mpakur në sumbulla të vogla uji, të cilat si një vello qëndisur me perla kanë mbështjellë natyrën, duke përkulur lehtë lastarët e rinj, që piptojnë çdo ditë e më shumë anekënd vendit.
Njerëzia ecin shpenguar në trotuare me një gjallëri që buron vetvetiu, së brendshmi, duke pasqyruar në çdo buzëqeshje apo shikim mbushullinë e grimcave të qiellit kaltërosh dhe rrezeve të diellit, teksa kërcejnë valsin e harmonisë.
Megjithëse automjetet lëvizin mizëri nëpër rrugë, çuditërish, ajo zhurmë dhe rrëmujë që zakonisht i shoqëron, është shumë më e zbehtë dhe herë-herë pothuajse mungon, duke krijuar një boshllëk, thua ato rrëshqasin fjollë mbi akull e jo mbi rrota. Një kohë e tillë më grish në shtegun e kujtimeve të fëmijërisë, duke më rrethuar me një paqe marramendëse që kërkon të pushtojë gjithë qenien time.
libra shqiptar
libra te huaj
