Kjo konsideratë ekskluzive për gjuhën, ashtu si dhe vëmendja e tepruar ndaj racës, ka rreziqet e saj, si dhe të metat e papërshtatshmëritë e veta. Kur pranon ekzagjerime të tilla dhe mbyllesh brenda një kulture të përcaktuar, të konsideruar si kombëtare, veçse kufizohesh, mbyllesh ndaj të tjerëve. Ikën, i largohesh ajrit dehës, që thithet në fushën e pafundme të njerëzimit, për t’u mbyllur në puritanizmin e bashkatdhetarëve. Nuk ka asgjë më të keqe për shpirtin, për mendjen: nuk ka asgjë më shqetësuese, më të turpshme për qytetërimin.
Nuk duhet hequr dorë nga parimi themelor mbi njeriun që, njeriu para se të lidhet me një gjuhë apo një tjetër, para se ai të jetë pjesëtar i kësaj apo asaj race, aderues i kësaj apo asaj kulture, ai është një qenie e arsyeshme dhe morale.
Para një kulture franceze, asaj gjermane apo kulturës italiane ekziston një kulturë njerëzore. Shihni njerëzit e mëdhenj të Rilindjes, ata nuk ishin as francezë, as italianë, as gjermanë.
Nëpërmjet ndërveprimit me antikitetin, ata gjetën përsëri sekretin e edukimit të vërtetë të mendjes njerëzore, me një përkushtim të veçantë me shpirt e trup. Një arritje e madhe ajo e tyre!
libra shqiptar
libra te huaj
