Epistolari, apo letërkëmbimi, përbën një nga komponentët më të rëndësishëm të burimeve vetjake të Fan Nolit. Ai paraqitet i pranishëm në çdo etapë të jetës, si pjesë e pandarë e veprimtarisë së tij poliedrike. Fan Noli gjatë jetës shkroi me mijëra letra. Sigurisht, këtë punë ai nuk e bëri si shkrimtar.Por duke qenë edhe i tillë, letrat në radhë të parë u diktuan nga kërkesat e kohës, nga detyrat historike dhe nevojat e ditës. Me anë të tyre, veç rrugëve të tjera, ai do të komunikonte me shokët e luftës dhe të punës, do të mbante ato lidhje aq të domosdoshme me botën shqiptare. Për fat të keq, nga tërë kjo mori letrash kanë arritur vetëm disa qindra. Letërkëmbimi i Fan Nolit shtrihet në një periudhë kohore afro gjashtëdhjetëvjeçare (1906-1965), pas së cilës qëndron historia shqiptare e gjysmës së parë të shekullit XX. Është kjo koha e ngjarjeve të mëdha në jetën e popullit tonë, e kthesave historike. Letërkëmbimi i Nolit, i ngjan një varianti të detajuar të autobiografisë, pasi ndjek e reflekton në një farë mënyre jetën e tij nga mosha e rinisë deri në pleqëri të thellë. Letërkëmbimi i Nolit është pasqyrë e personalitetit të tij. Një pasqyrë besnike, ku ai e zbulon veten në rrafsh diakronik e sinkronik, ashtu siç ka qenë me të vërtetë, pa u fshehur dhe pa u zbuluar.
libra shqiptar
libra te huaj
