Claude Lefort-i mbahet si një nga mendimtarët më të shquar të politikës në këtë shekull. Punimet e tij nga filozofia politike merren si reference e paevitueshme në të shpjeguarit sidomos të fenomeneve që mbulojnë termat demokraci e totalitarizëm.Natyisht, vepra e Lefort-it nuk na jep të vërteta të’ gatshme e të pakontestueshme: ajo më tepër na nxit të mendojmë për problemet kyce që i përkasin qenësimit të njerëzve brenda atyre “kornizave”, aq të ndryshme njëra nga tjetra, që i emërtojnë termat e përmendur. Subtiliteti dhe thellësia e analizave të tij e bën të vështirë paraqitjen dhe interpretimin e tyre. Që në fillim na shtrohet obligimi të skicojmë pozicionin teorik nga i cili Lefort-i kundron fenomenet politike të kohës sonë. Skicimi i këtij pozicioni kërkon një sqarim të parë të dallimit që ai e bën në të gjitha punimet e veta midis termave politika (la politique) dhe politikja (le politique). Me të parin shënon veprimtarinë e individëve e të partive politike brenda sferës politike, si vend ku sajohet instanca e përgjithshme e pushtetit dhe ku zhvillohen garat politike. Me të dytin emërton “atë lëvizje të dyfishtë të shfaqjes së procesit në saje të të cilit renditet e njësohet shoqëria përmes ndarjeve të brendshme të saj si dhe fshehjen e parimit prodhues të konfiguracionit të tërësisë”. Që të mund ta rimendonte politikën, Lefort-i e pa veten të shtrënguar të shkëputet nga pikëshikimi i shkencës në përgjithësi dhe ne veçanti nga pikëshikimi i shkencës politike dhe sociologjisë politike. Ai do të kritikojë si interpretimin marksist të fenomenit politik, i cili e vendos ketë në regjistrin e një superstrukture që e ka themelin në nivelin e supozuar real të marrëdhënieve në prodhim, po ashtu edhe atë të politikologëve e sociologëve që “e gjejnë objektin e tyre të njohjes duke u nisur nga ndërtimi apo nga përcaktimi i faktit politik, të shikuar si fakt i veçantë, i ndryshëm nga faktet e tjera të veçanta (ekonomike, juridike, shkencore etj.)
libra shqiptar
libra te huaj
