Në agimin e datës 25 prill 1974, nën drejtimin e disa kapitenëve të ushtrisë të cilët ishin kundër luftës koloniale të Portugalisë në kolonitë e saj afrikane dhe kundër regjimit diktatorial salazarist që mbizotëronte në Portugali prej vitit 1933, pesë mijë ushtarë hynë në Lisbonë, me tanke dhe të armatosur. Ata morën në zotërim stacionin e Radios “Radio Clube Portugues” për të lajmëruar revolucionin dhe për të qetësuar popullsinë. Në të njëjtën kohë, forcat e shkollës ushtarake të Kavalerisë morën sheshin “Terreiro do Pasos” (i njohur ndryshe edhe “Praça do Comércio”), një hap vendimtar për zhvillimin e mëtejshëm të ngjarjeve. Atë mbasdite, Lëvizja e Forcave të Armatosura (MFA) e detyroi qeverinë e strehuar në kazermën e shtabit qëndror të xhandarmërisë në sheshin e Karmos të dorëzohej nën grykën e topit të tankut luftarak “Bula”.
Thuhet se një grua në rrugën “Braancamp” në Lisbonë filloi t’u dhurojë ushtarëve dhe njerëzve që kishin vërshuar nëpër rrugë karafila, të cilët ushtarët i vendosën në grykat e pushkëve. Nga kjo lindi dhe emërtimi i revolucionit portugez si Revolucioni i Karafilave. Dita e 25 prillit u shënua nga katër viktima, katër protestues civilë të vrarë prej agjentëve të PIDE/DGS (policia politike e regjimit) në rrugën “Antonio Maria Cardoso”. Pa as edhe një të shtënë, MFA-ja arriti që brenda një dite të rrëzojë një regjim diktatorial dyzet e tetëvjeçar dhe të organizojë një qeveri tranzitore.
libra shqiptar
libra te huaj
